SI T’I KTHEHENI ME LEHTËSI
JETËS NORMALE

StomaCare Albania



Përgatitja për kirurgjinë e stomës

Kirurgjia e stomës mund të duket e frikshme, por ju jeni në duar të sigurta. Ne mund t'ju ndihmojmë të përgatiteni fizikisht dhe mendërisht. Nëse po përballeni me ndërhyrjen për të patur një stomë, atëhere ju keni një gjendje mjekësore ose një dëmtim që po ndalon funksionin normal të zorrëve ose fshikëzës tuaj. Por nuk jeni vetëm. Ka të paktën 1.3 milion njerëz sot, nga të gjitha moshat dhe prejardhjet, që bëjnë një jetë aktive duke patur një stomë. Kirurgjia e stomës të ndryshon jetën në shumë mënyra. Procesi i të ndjerit mirë me stomën fillon me të kuptuarit të procedurës së cilës do t’i nënshtroheni dhe cilat pyetje duhet t’i bëni stafit shëndetësor para operacionit. Ne jemi këtu për t'ju ndihmuar në çdo hap të rrugës në udhëtimin tuaj të stomisë.

A KAM NEVOJË PËR DIETË SPECIALE PAS OPERACIONIT?


Jo, derisa mjeku juaj nuk ju rekomandon regjim të posaçëm të ushqimit. Numri më i madh i personave mund të përdorin të njëjtin ushqim, si edhe para operacionit. Që të jeni të sigurt se cili lloj ushqimi ju përshtatet, provojeni çdo ushqim të ri veçmas nga ushqimet e tjera. Bëni një tabelë dhe shënoni në të se si reagoni ndaj ushqimit të marrë. Prej kësaj tabele më vonë do të keni një pasqyrë të qartë se çfarë mund të konsumoni pa asnjë problem. Prodhimet apo ushqimet që ju kanë shkaktuar problem njëherë mos i konsumoni për një kohë të caktuar. Pas kësaj kohe, provoni t’i merrni edhe njëherë në sasi të vogla, për t’u siguruar nëse mund të jenë pjesë e menusë suaj ose jo.

Evitoni ushqimet e yndyrshme, me shumë erëza ose ushqim djegës. Çdo ditë hani sasi të caktuar frutash dhe perimesh të freskëta, të cilat do të përmbushin nevojat tuaja për vitamina dhe njëkohësisht do t’ju rregullojnë jashtëqitjen.

Disa ushqime të caktuara, si: fasulet, bishtajat, lakra, qepa, vezët dhe ushqime të ngjashme nxitin krijimin e gazrave dhe erën e fortë. Gjithmonë hani qetë, ngadalë dhe përtypeni mirë ushqimin.

Brenda ditës duhet të hani të paktën tre vakte dhe dy vakte ndërmjetëse. Sipas mundësive është mirë që të hani çdo ditë në të njëjtën kohë. Mos i kapërceni vaktet dhe mos merrni përnjëherësh sasi të tepërta ushqimi, sepse do të keni më tepër gazra se zakonisht.

ÇFARË DHE SA LËNGJE MUND TË PI?


Për pacientët me kolostomë mjafton konsumi i 1,5 deri 2 litra lëngje. Për pacientët me ileostomë, ku nuk ka përthithje të lëngjeve nga mungesa e zorrës së trashë, ka nevojë për sasi më të mëdha zakonisht 2,5 deri në 3 litra lëngje.

Birra dhe të gjitha pijet me gaz shkaktojnë më shumë gazra. Kosi, qumështi dhe prodhimet e qumështit i zvogëlojnë gazrat dhe erën. Mos konsumoni sasi të mëdha të pijeve alkoolike. Pirja në sasi të madhe e alkoolit ju bën dëm, njësoj si edhe njerëzve të tjerë. Gjatë dehjes, stoma do të punojë normalisht, por ju nuk do të mund ta kontrolloni funksionimin dhe përkujdesjen ndaj saj duke futur veten në një situatë të pakëndshme.

ÇFARË VESHJE DUHET TË MBAJ?


Nuk ka nevojë për zëvendësimin e garderobës suaj, përveçse nëse dëshironi ta bëni këtë. Sistemet e stomave (njëpjesëshe dhe dypjesëshe) janë plotësisht të padallueshme dhe që i përshtaten thuajse çdo lloj veshjeje. Vetëm duhet të keni kujdes përdorimin e rripit në mënyrë që të mos e shtypni qesen.

A MUND TË LAHEM, TË BËJ DUSH OSE TË NOTOJ ME QESE?


Natyrisht që mundeni. Nuk ka nevojë që para se të laheni ta hiqni sistemin. Sistemi hiqet vetëm kur i vjen koha për t’u ndërruar. Nëse qëndroni më shumë kohë në ujë ose notoni, në çdo rast, mund të vendosni nëpër qoshet e pllakëzës izoluesin e filtrit, i cili është rezistent ndaj ujit. Nëse përdorni qese me filtër, gjatë larjes, mbulojeni filtrin për gazra me ngjitëse letre, të cilat gjenden në kutinë e qeseve. Kjo bëhet pasi filtri mund të laget dhe i lagur nuk funksionon. Mund të laheni edhe pa qese, për shembull nëse doni të lani pjesën e pllakëzës rreth stomës. Po ashtu, lejohet edhe larja pa sistemin e stomës, posaçërisht gjatë kohës së zëvendësimit të njësisë.

A DO TA DINË TË GJITHË QË UNË KAM STOMË?


Jo, dhe nuk ka nevojë t’i tregoni kujtdo për stomën. Ju vetë do të vendosni me cilin person mund të flisni. Sidoqoftë, nuk duhet të ndjeheni keq edhe në praninë e të tjerëve. Sa më natyrshëm dhe sa më hapur të flisni ju vetë për stomën, aq më natyrshëm do të sillen edhe njerëzit rreth jush.

A DO TË MUNDEM PAS OPERACIONIT TË SHKOJ PËRSËRI NË PUNË DHE TË KRYEJ DETYRIMET SHTËPIAKE?


Nëse jeni në marrëdhënie pune dhe nëse puna juaj nuk është shumë e mundimshme fizikisht nuk lidhet me përkulje të shpeshta të trupit, tendosje apo ngritje peshash të rënda, atëherë mund t’i ktheheni lirisht punës suaj të vjetër. Për çdo rast konsultohuni me mjekun tuaj nëse gjendja juaj shëndetësore ju lejon të punoni përsëri. Nëse gjendja juaj fizike është si duhet, atëherë ju mund të kryeni pa problem të gjithë detyrimet shtëpiake, vetëm se duhet të keni kujdes të mos mbani pesha të rënda dhe të mos lodheni shumë.

ÇFARË NDODH ME JETËN SHOQËRORE?


Pasi të jeni përtërirë nga operacioni, mundohuni t’i ktheheni sa më shpejt jetës suaj shoqërore, pasi nuk ka asnjë arsye që mos e bëni këtë. Mos iu shmangni vizitave, festave, si dhe aktiviteteve kulturore. Lëvizni lirisht kudo, natyrisht nëse keni mundësi përkujdesjeje për stomën.

A DO TË THOTË OPERACIONI FUND I JETËS SIME SEKSUALE?


Gjatë operacionit mund të ndodhë dëmtimi i padëshiruar i nervave që inervojnë organet seksuale. Në rast se ndodh ndonjë dëmtim i tillë, është mirë të bisedoni me mjekun tuaj se cilat janë mundësitë për zgjidhjen e problemit. Nëse keni ndonjë problem të natyrës psikike (frikë nga reagimi i partnerit, turp apo shqetësim), atëherë më e mira është që të bisedoni hapur me partnerin tuaj për të arritur deri në një zgjidhje të përbashkët që do t’ju përshtatet të dyve.
Ndoshta jeni ju ai ose ajo që mendoni se stoma paraqet pengesë për jetën seksuale dhe jo partneri juaj.

A MUND TË MERREM ME SPORT?


Shumica e pacientëve me stomë mund të vazhdojnë të ushtrojnë dhe të jenë sportistë aktivë, ashtu siç kanë qenë para operacionit. Edhe pse stoma nuk paraqet pengesë gjatë aktiviteteve sportive, sidoqoftë ju duhet t’iu shmangeni sporteve që kërkojnë më shumë mund (peshëngritje, mundje dhe sporte të ngjashme).

A MUND TË UDHËTOJ NË UDHËTIME MË TË GJATA?


Nëse udhëtimet i keni kënaqësi, mos hiqni dorë prej tyre. Nëse jeni mirë me shëndet dhe dini ta përdorni si duhet sistemin e stomës, atëherë udhëtimet nuk duhet të paraqesin problem. Mbani gjithmonë me vete njësi rezervë, që në rast nevoje të mundeni në çdo kohë ta zëvendësoni me një të ri. Informohuni nëse mund të gjeni njësi stome në vendin ku do të udhëtoni. Konsultohuni me mjekun nëse udhëtoni në vende ku përdoret ushqim, i cili ndryshon nga ushqimi që konsumoni zakonisht.

CILAT JANË PROBLEMET DHE KOMPLIKACIONET MË TË SHPESHTA ME STOMËN?


Për shumë shkaqe, në raste të caktuara, mund të ndodhin probleme nga më të lehtat deri në më të komplikuarat që kanë lidhje me përkujdesjen e stomës.

Më të shpeshta janë:

1. Lëkura e irituar (pezmatuar) rreth stomës për shkak të:
• Ndërrimit të shpeshtë dhe të panevojshëm të njësive.
• Reaksioneve alergjike ndaj ngjitësit ose ndaj ndonjë lloju shqimi.
• Kontaktit të shpeshtë dhe për kohë të gjatë të lëkurës me feçen ose urinën.
• Infeksionit të qimeve rreth stomës.
• Pastrimit të stomës me sapune të forta dhe me dezinfektantë.

2. Gjakëderdhje e vogël nga buzët estomës:
• Mund të ndodhë për shkak të shtypjes së fortë gjatë pastrimit, por kjo nuk paraqet ndonjë problem.

3. Gjakderdhje nga brendësia e stomës:
• Duhet menjëherë të konsultoheni me mjekun.

4. Konstipacioni (kapsllëku):
Nëse feçet janë më të forta se zakonisht, kjo mund t’ju shkaktojë siklet dhe dhimbje gjatë jashtëqitjes. Kur të vëreni se ushqime të caktuara shkaktojnë kapsllëk, mos i përdorni përsëri. Konsumoni më shumë fruta dhe perime të freskëta dhe pini më shumë lëngje. Nëse kapsllëku zgjat për kohë të gjatë, atëherë duhet të konsultoheni me mjekun tuaj.

5. Diarre (barku) mund të ndodhë përshkak të:
• Infektimit të barkut.
• Konsumimit të ndonjë ushqimi të caktuar (me shumë erëza, spinaq, çokollatë) ose pije (alkool, birrë në sasi më të mëdha).
• Streseve emocionale.
• Përdorimit të ndonjë bari (ilaçi).
Nëse diarrea (barku) zgjat për kohë të gjatë, atëherë duhet të konsultoheni me mjekun tuaj.

6. Era mund të paraqitet si pasojë e:
• Marrjes së disa ushqimeve, si psh.: qepa, hudhra, preshi, lakra, djathi aromatik, peshku,etj.
• Qesja e vendosur jo në rregull.
• Qesja e shpuar me qëllim ose pa qëllim.

7. Ngjitje e qeses:
• Kjo mund të ndodhë për shkak të sasisë së pamjaftueshme të ajrit në qese. Gjatë vendosjes së qeses duhet të keni kujdes që ajo të jetë e hapur dhe me pak ajër brenda.

KËSHILLA DHE NJOHURI MBI UROSTOMËN


Nëse udhëtimet i keni kënaqësi, mos hiqni dorë prej tyre. Nëse jeni mirë me shëndet dhe dini ta përdorni si duhet sistemin e stomës, atëherë udhëtimet nuk duhet të paraqesin problem. Mbani gjithmonë me vete njësi rezervë, që në rast nevoje të mundeni në çdo kohë ta zëvendësoni me një të ri. Informohuni nëse mund të gjeni njësi stome në vendin ku do të udhëtoni. Konsultohuni me mjekun nëse udhëtoni në vende ku përdoret ushqim, i cili ndryshon nga ushqimi që konsumoni zakonisht.

Këshilla dhe njohuri të dobishme

Edhe pse keni një urostomë, vetë stoma është indi i zorrës i cili prodhon mukozë. Mukoza shihet zakonisht të dalë nga stoma. Përdorni qese të dizajnuara për njerëzit që jetojnë me urostomë. Qeset pë urostoma - përkundrejt kolostomisë ose ileostomisë - janë krijuar për të mbajtur urinën larg stomës. Ju mund të vini re një kore që mund të formohet në pjesën e brendshme të qeses ose lëkurës rreth stomës. Këto janë kristale, të cilat ndodhin kur urina është shumë alkaline ose kur disku ngjitës nuk është vendosur siç duhet. Sigurohuni që disku ngjitës të përshtatet siç duhet ose provoni një disk ngjitës të modelueshëm, i cila do të sigurojë një përshtatje më të personalizuar. Ndiqni një rutinë themelore të kujdesit për lëkurën rreth stomës. Mund të laheni apo të bëni dush si normalisht, me ose pa qese, duke përdorur një sapun që nuk lë mbetje në lëkurë. Kontrolloni lëkurën tuaj rreth stomës gjatë çdo ndryshimi të qeses për të parë nëse lëkura ka ngjyrosje të pazakontë ose acarime si skuqje apo çarje. Pini sa më shumë lëngje. Lëngjet do të ndihmojnë në mbajtjen e urinës me acid. Mësoni më shumë rreth këshillave ushqyese nëse jetoni me urostominë. Nuk është e nevojshme të blini një gardërobë të re. Qeset e urostomës nuk janë të dukshme nën shumicën e veshjeve.

Për pyetjet tuaja mund të kontaktoni
drejpërdrejt në chat me stafin tonë
mjekësor:

E hënë – E premte 17:00 - 19:00
E shtunë – E diel 12:00 - 14:00

woundcare catalog