PËRPARA
OPERACIONIT

Përgatitja për kirurgjinë e stomës
Kirurgjia e stomës mund të duket e frikshme, por ju jeni në duar të sigurta. Ne mund t'ju ndihmojmë të përgatiteni fizikisht dhe mendërisht. Nëse po përballeni me ndërhyrjen për të patur një stomë, atëhere ju keni një gjendje mjekësore ose një dëmtim që po ndalon funksionin normal të zorrëve ose fshikëzës tuaj. Por nuk jeni vetëm. Ka të paktën 1.3 milion njerëz sot, nga të gjitha moshat dhe prejardhjet, që bëjnë një jetë aktive duke patur një stomë. Kirurgjia e stomës të ndryshon jetën në shumë mënyra. Procesi i të ndjerit mirë me stomën fillon me të kuptuarit të procedurës së cilës do t’i nënshtroheni dhe cilat pyetje duhet t’i bëni stafit shëndetësor para operacionit. Ne jemi këtu për t'ju ndihmuar në çdo hap të rrugës në udhëtimin tuaj të stomisë.
Kirurgjia mund të përmirësojë jetën tuaj
Në varësi të nevojave tuaja, operacioni do të heqë një pjesë të fshikëzës suaj (urostomi), zorrës së
hollë (ileostomi) ose zorrës së trashë (kolostomi) që është shumë e dëmtuar nga gjendja juaj mjekësore
për t’u rikuperuar më vete.
Gjatë procedurës, kirurgu juaj do të krijojë një stomë, një hapje në pjesën e jashtme të abdomenit
tuaj në mënyrë të atillë që materialet si feçe ose urina të dalin jashtë. Stoma juaj, në shumicën e
rasteve, do të përmirësojë shëndetin tuaj dhe do të bëjë të mundur të jetoni një jetë krejtësisht
normale.
Cfarë është një stomi?
Stoma është krijimi në mënyrë artificiale i një daljeje të një pjese organi si zorrë e hollë, e trashë
etj. duke bërë të mundur eleminimin e materialeve si fece apo urine.
Ekzistojnë shumë faktorë që çojnë në formimin e një stome si për shembull:
• Kanceri i zorrës së trashë, fshikëzës ose rektumit
• Sëmundjet inflamatore të zorrëve, të tilla si sëmundja e Crohn ose Kolitit Ulcerativ
• Anomalitë e lindjes
• Plagët penetruese dhe trauma të tjera në abdomen
• Spina bifida ose sëmundje të tjera kongenitale
• Obstruksioni (bllokimi) i ureterit
Në varësi të sëmundjes ose plagës, një stomë mund të jetë e përkohshme (për të lejuar shërimin dhe
rikthimin në eleminimin normal të materialeve) ose e përhershme. Mjeku juaj do t'ju tregojë nëse stoma
juaj do të jetë e përkohshme ose e përhershme.
Ekzistojnë 3 lloje kryesore të Kirurgjisë së Stomës
• Kolostoma (zorra e trashë)
• Ileostoma (zorra e hollë)
• Urostoma (trakti urinar)
Nëse keni një kolostomi ose ileostomi, do të humbisni kontrollin e vullnetshëm të defekimit. Nëse keni
urostomi, nuk do të keni mundësi të kontrolloni urinimin. Këto procese të eleminimit do të realizohen
në një sistem qeseje stomie diskrete (që nuk dallohet nga të tjerët) që ngjitet në abdomenin tuaj.
Sisteme të ndryshme qesesh janë në dispozicion për mënyra të ndryshme jetese.
Është shumë e rëndësishme t’i jepni kujdesin e duhur stomës suaj dhe të siguroheni që sistemi juaj i
qeses t’ju përshtatet siç duhet.
Zgjidhni më lart llojin e ndërhyrjes suaj për t’u informuar më
tepër rreth pikave që vijojnë si më poshtë:
• Cfarë duhet të prisni dhe si të kujdeseni për stomën tuaj?
• Si të menaxhoni eleminimin e mbetjeve të trupit nëpërmjet stomës tuaj?
• Si të kujdeseni për lëkurën rreth e qark stomës, në mënyrë që të shmangni acarimin e lëkurës dhe
komplikacionet?
• Si përshtaten produktet e zgjedhura në jetën tuaj të përditshme?
Si krijohet një stomë?
Stoma është një pjesë e zorrës ose traktit urinar që nxirret në sipërfaqen e abdomenit tuaj (barkut)
dhe më pas fiksohet nëpërmjet qepjeve. Vendndodhja stomës varet nga gjendja juaj mjekësore. Stoma
siguron një rrugë alternative për eleminimin e urinës (në rastin e urostomisë) ose jashtëqitjes (në
rastin e kolostomisë ose ileostomisë) për t’u eleminuar nga trupin tuaj.
Jo të gjitha stomat krijohen në mënyrë të barabartë. Ato ndryshojnë në madhësi, formë, vendndodhje dhe
përbërje.
Në varësi të arsyes që krijohet stoma, kirurgu juaj do të vendosë se cila lloj stome është më e mira
për ju.
Si ju, çdo stomë është unike. Kujdesi i mirë për stomë tuaj dhe zgjedhja e një sistemi qeseje që i
përshtatet stilit tuaj të jetesës është thelbësore për rehatinë dhe shëndetin tuaj. Kur përshtaten siç
duhet dhe kujdesi është korrekt, sistemet e qeseve ju ndihmojnë të ktheheni në një jetë aktive.
Si shumica e njerëzve kur janë duke u përgatitur për kirurgjnë e formimit të stomës, ju mund
të pyesni veten se çfarë duhet të prisni pas saj.
Është normale të pyesni veten se si do të ndryshojë jeta juaj në javët menjëherë pas operacionit dhe
më tej. Ne jemi këtu për të ndihmuar.
Ekipi mjekësor që do t’ju asistojë është burimi juaj më i mirë për t'iu përgjigjur të gjitha pyetjeve
tuaja dhe t'ju rikthejë përsëri jetën që doni. Më poshtë, mund të zbuloni rolet e tyre në rimëkëmbjen
tuaj, si dhe disa pyetje për t'ia drejtuar kur të takoheni me ta.
Kirurgu juaj drejton ekipin.
Kur të takoni kirurgun tuaj para operacionit, ai/ajo do të përcaktojë se cili tip i stomës është më i
miri për ju. Kjo padyshim që do të varet nga lloji i operacionit që juve ju nevojitet. Ai/ajo
gjithashtu do të përcaktojë nëse stoma do të jetë e përkohshme ose e përhershme.
Infermieri juaj i stomës është burimi juaj më i mirë i informacionit.
Një infermier i specializuar për stoma (nganjëherë quhet infermier enterostomale (ET) ose infermier i
kujdesit për stomën) është partner, udhëzues dhe mësues në udhëtimin tuaj me stomë. Ndërsa përshtateni
në jetën me një stomë, infermieri juaj do të jetë personi ku ju do adresoheni më shpesh, do të jetë
miku juaj.
Nëse keni mundësi të takoheni me një infermier përpara operacionit, ai ose ajo do t'ju ndihmojë të
përgatiteni për kirurgji dhe t'i përshtateni jetës me stomë. Në këtë vizitë para operacionit,
infermieri juaj do të zbulojë sa më shumë që të jetë e mundur në lidhje me nevojat dhe stilin e jetës
suaj. Nga ky diskutim, infermieri dhe kirurgu juaj do të rekomandojnë pozicionin më të mirë për stomën
tuaj. Nëse dëshironi të takoheni me dikë që ka patur një stomë, infermieri juaj mund të jetë në
gjendje të caktojë një takim.
Zgjidhni një pozicionim të përshtatshëm për vendosjen e stomës
Nëse koha lejon, është e rëndësishme të diskutoni vendosjen e stomës me kirurgun tuaj. Në varësi të
gjendjes tuaj mjekësore ose dëmtimit, kjo mund të ndodhë ose në zyrën e kirurgut tuaj ose në spital.
Më poshtë do të gjeni disa udhëzime të rëndësishme që duhet të ndiqen:
• Zona e Stomës duhet të jetë e shikueshme dhe e arritshme lehtë, në mënyrë që të menaxhoni vetë
ndryshimet.
• Në mënyrë ideale, stoma nuk duhet të vendoset pranë ose rreth përthyerjeve të lëkurës, plagëve ose
protuberancave kockore, në mënyrë që sistemi i qeseve të mund të ngjitet në mënyrë të njëtrajtshme me
lëkurën.
• Vendosja duhet të përcaktohet duke patur parasysh pozicionet ulur dhe në këmbë.
Pyetje të tjera që mund të dëshironi të bëni:
Përballja me kirurgjinë mund të jetë e vështirë dhe stresuese, dhe mund të mos mbani mend të gjitha
pyetjet që doni të bëni gjatë takimeve tuaja para-operacioni. Bëni një listë pyetjesh dhe mbajeni me
vete në takimet para operacionit, kjo mund t'ju ndihmojë të ndiheni të sigurt se të gjitha shqetësimet
tuaja do të marrin përgjigje.
Nëse është e mundur, do të ishte në favorin tuaj t’ju shoqëronte një mik i besuar apo një anëtar i
familjes i cili mund të mbajë shënime për ju si dhe t’ju ofrojë mbështetje.
Më poshtë do të gjeni disa pyetje të zakonshme për njerëzit që përballen me operacionin e
ostomisë:
• Më përshkruaj stomën time (lartësia, pozicioni, madhësia, pamja). Cfarë duhet të pres?
• A do të jetë stoma ime e përhershme apo e përkohshme?
• Si funksionon stoma?
• A do të jetë e dukshme stoma ime nën rrobat e mia?
• Si duket një qese (madhësia, llojet, ngjyrat, stili)?
• Si ta ndryshoj qesen?
• A do të rrjedhë qesja?
• Ku mund të marr furnizime?
• Sa kushtojnë?
• A do të më duhet të ndryshoj dietën time?
• Kur mund të kthehem në punë?
• A do të jem në gjendje të dal me familjen dhe miqtë?
• Si do të ndikojë stoma ime në jetën time seksuale?
• A do të jem në gjendje të udhëtoj?
• Ku mund të marr ndihmë dhe mbështetje shtesë?
• A do të më duhet ndonjë kujdes i veçantë kur të kthehem në shtëpi nga spitali?
Vendosja e stomës mund të diskutohet gjithashtu në vizitën tuaj para operacionit. Nëse nuk e keni
marrë këtë informacion, ju inkurajojmë që të pyesni për të para operacionit.
Përcaktimi i duhur i vendosjes së stomës është i rëndësishëm që ju të ndjeheni sa më mirë dhe ta keni
sa më të lehtë në të ardhmen për t'u kujdesur për stomën tuaj. Për të patur mundësi që t’i ndërroni
qeset në mënyrë të pavarur duhet që pozicionimi i stomës të jetë në vend që ju mund ta shikoni dhe ta
arrini me lehtësi.
Më poshtë do të gjeni disa pyetje që mund t’i bëni profesionistin tuaj të kujdesit shëndetësor gjatë
kohës që jeni në spital:
• Sa shpejt do të jem në gjendje të ha dhe të pi?
• Sa kohë do të jem në spital?
• Çfarë duhet të bëj nëse kam dhimbje?
• A duhet që të gjithë me një stoma të përdorin një qese?
Pas operacionit, infermieri juaj i stomës do t'ju flasë për kirugjinë, do t'ju ndihmojë të kuptoni se
çfarë ka ndodhur me trupin tuaj dhe do t'ju mësojë se si të menaxhoni stomën tuaj të re ndërsa
shëroheni në spital dhe më pas kaloni në kujdesin shtëpiak. Në varësi të nevojave tuaja, mund të
merrni referime tek specialistë ose klinika të tjera për më shumë ndihmë.
Është e rëndësishme të mbani mend se të gjithë janë të ndryshëm, dhe të gjithë ne përshtatemi për të
ndryshuar në mënyra të ndryshme. Mbështetja që mund të prisni nga infermieri juaj gjithmonë do të
drejtohet për nevojat tuaja individuale. Ka shumë njerëz si ju që kanë kryer të njëjtin operacion, dhe
mjekët dhe infermierët tuaj janë atje për të dëgjuar dhe ndihmuar.
Po tani?
Kirurgjia juaj e stomës ka përfunduar dhe ju jeni në shtëpi. Për shumë njerëz, operacioni mund të jetë
fillimi i një jete më të rehatshme. Por prapësëprapë kërkon që t’i përshtateni jetës me një stomë -
fizikisht dhe mendërisht.
Megjithëse operacioni juaj i stomës është realizuar, mund të keni akoma shumë pyetje dhe shqetësime -
veçanërisht gjatë 12 javëve të para të jetesës me një stomë. Mund të bëheni nervoz, të ndjeheni të
hutuar ose të zemëruar. Mund të gëzoheni nga ndjenja e lirisë, përmirësimi i shëndetit dhe aktivitetet
e reja që mund të shijoni pas shërimit nga operacioni. Ose mund të keni një përzierje të të gjitha
këtyre emocioneve. Të gjitha këto reagime janë krejtësisht normale.
Ti nuk je vetëm. Infermieri juaj dhe profesionistët e kujdesit shëndetësor janë të gatshëm për t'ju
ndihmuar në çdo hap të rrugës.
"Normalja” juaj e re
Gjatë muajve të parë pas operacionit të stomës, është e rëndësishme të pranoni që ju dhe të dashurit
tuaj do të kaloni një periudhë të rëndësishmë përshtatjeje. Të kesh një stomë do të thotë që duhet të
adaptohesh me një mënyrë të re "normale" të jetës.
Pavarësisht nëse keni patur një kolostomi, ileostomi ose urostomi, do t’ju duhet të mësoni se si të
menaxhoni tranzitin e “lëndëve jo më të dobishme” përmes stomës tuaj, si dhe për mënyrën sesi të
kujdeseni për lëkurën përreth stomës tuaj.
Për gjashtë deri në tetë javët e para, stoma juaj mund të zvogëlohet në madhësi (bie edema). Matja e
rregullt e stomës tuaj jep siguri që jeni duke përdorur madhësinë e duhur të sistemit të qeses, rrit
vetbesimin dhe zvogëlon parehatinë.
Me kalimin e kohës, do të ndiheni shumë më të qetë me stilin tuaj të ri të jetës pasi menaxhimi i
stomës kthehet në një pjesë të rutinës suaj të përditshme.
Gjatë kësaj periudhe fillestare përshtatjeje, sidoqoftë, mbani kontakte të ngushta me infermierin tuaj
të ostomisë. Përgjigjet për çdo problem apo shqetësim janë zakonisht vetëm një telefonatë larg.